image Kompania jep një sqarim për djegien e autobusit në “Rrugën e Kombit”

Kosovë

Kompania jep një sqarim për djegien e autobusit në “Rrugën e Kombit”

news image

Autobusi i kompanisë “Ariani” që është djegur gjatë pasdites së sotme teksa po udhëtonte nga Shqipëria për në Kosovën në autostradën “Rrugën e Kombit”, po thotë se autobusi ishte në gjendje të mirë teknike.

Kompania përmes një postimi në llogarinë e saj Facebook, ka thënë se autobusi është djegur për shkak të temperaturave të larta.

“Sot në orët e pasdites në autostradën e ‘Kombit’ ka marrë flakë autobusi i kompanisë tonë i linjës Durrës-Mitrovicë, por që fatmirësisht përveç dëmeve materiale nuk ka pasur pasoja tjera. Të gjithë pasagjerët dhe stafi i kompanisë janë shëndosh e mirë, pasi që nuk kanë pësuar asnjë dëmtim të vetëm”.

“Për hir të transparencës ju njoftojmë se autobusi ka qenë në gjendje të rregullt teknike, mirëpo si duket deri te ky dëmtim ka ardhur si pasojë e temperaturave të larta. Të gjitha linjat tona do të vazhdojnë qarkullimin sipas orareve të parapara”, thuhet në reagimin e kësaj kompanie.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar për Sinjalin, se nga informacionet që posedon asnjë person nuk është lënduar në këtë rast.

“Në bazë të informacioneve të siguruara dyshohet se në afërsi të tunelit të Kalimashit, një autobus nga Kosova e ka kapluar zjarri. Fatmirësisht deri tani nuk ka ndonjë informacion për të lënduar”, ka thënë Kelani shkurt për Sinjalin.

Sinjali ka raportuar edhe më herët për djegien e autobusit ku në të kishin qenë rreth 40 udhëtarë. Të gjitha udhëtarët kanë arritur që me kohë të largohen dhe të shpëtojnë pa u lënduar.

Nga pamjet e dërguara nga sinjalizuesit shihet se në “Rrugën e Kombit” është krijuar kolonë e gjatë automjetesh”./Sinjali/