Kompania “Loti”, e cila është kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë për të kryer transportin e viktimave nga COVID-19 do t’i ndërpres të gjitha shërbimet për shkak të mospagesës. Kjo kompani i ka dhënë ultimatum MSH-së vetëm deri nesër në orën 13:00 që t’i kryejë pagesat, shkruan Gazeta Sinjali.
Bashkim Kameri, pronar i kësaj kompanie ka thënë për Gazetën Sinjali se nga fillimi i pandemisë nuk kanë pranuar asnjë pagesë për shërbimet që kanë kryer. Prandaj, kanë vendosur që të mos presin më.
“Prej fillimit të pandemisë, nuk kemi pranuar asnjë pagesë të shërbimeve që kemi kryer. Kemi intervenuar për rreth 300 raste, ka pasur edhe raste pozitive edhe të dyshuar. Pagesat nuk janë bërë për asnjë rast. Prandaj ne kemi vendosur që këtë punë mos ta bëjmë nga nesër në ora 13:00”, ka thënë Kameri.
Madje ai tha se është dashur të hyjnë në borxhe për t’i kryer këto shërbime.
“Është dashur të hyjmë në borxhe për t’i kryer shërbimet për të cilat jemi kontraktuar. Jemi lodhur shumë me këtë situatë. Për shkak të gjendjes financiare nuk mund të presim më shumë. Kjo është një lojë, sepse edhe ne kemi qenë të rrezikuar gjatë kësaj kohe, edhe ne kemi familje”, ka thënë tutje Kameri për Gazetën Sinjali.
Kameri njoftoi se ka bërë kërkesë në ministrinë e Shëndetësisë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
“I kam shkruar ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, ministrit të drejtësisë, Selim Selimi, kryeinspektorarit sanitar dhe mjeksësisë ligjore. Të gjithë i kemi njoftuar për këtë gjendje, por nuk ka pasur asnjë veprim. Ne jemi kompania e vetme që i kemi kryer këto shërbime nga fillimi i pandemisë”.
Ai po ashtu tregoi se ka dorëzuar në QKUK të gjitha faturat për shërbime që kanë kryer, deri në ditën kur është shkarkuar ish-drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu.
“Katër herë kam dorëzuar fatura në QKUK. Të gjitha janë pranuar deri në ditën kur është shkarkuar Basri Sejdiu, unë kam dorëzuar fatura. Mirëpo atë ditë më thanë që me urdhër të Sejdiut nuk mund të pranojmë më fatura për t’i protokolluar. Ne atëherë e morëm vesh që Sejdiu është shkarkuar. Nuk mundemi të vazhdojmë më tutje, jemi vetëm 7 persona që e mbulojmë punën në gjithë territorin e Kosovës”, ka thënë Kameri.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, se kjo çështje është urgjente dhe do të zgjidhet shumë shpejt.
“ Edhe ministria edhe SHSKUK-ja do të bëjnë një zgjedhje urgjente. Është temë urgjente dhe sa më shpejt që të kemi mundësi do ta zgjidhim. Ministria po merret me këtë çështje, që mos të kemi telashe. Për këtë temë është diskutuar edhe dje në mbledhjen e Komitetit për vlerësimin e situatës me koronavirus”, ka thënë Hoti.
Edhe nëser do të ketë mbledhje të Komitetit për vlerësimin e situatës me koronavirus, ku po ashtu pritet të diskutohet edhe çështja e pagesës për kompaninë e kontraktuar.
Numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 6.917 raste, me gjithsej 169 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese./ GazetaSinjali/