image Kompania e shërbimeve funerale nga e enjtja nuk i ka transportuar të vdekurit nga koronavirusi

Shëndetësi

Kompania e shërbimeve funerale nga e enjtja nuk i ka transportuar të vdekurit nga koronavirusi

news image

Kompania “Loti”, e cila ishte kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë për të kryer transportin e viktimave nga COVID-19 ka ndërprerë të gjitha shërbimet për shkak të mospagesës.

Kjo kompani javën e kaluar i ka dhënë ultimatum MSH-së që deri më 27 korrik t’i kryejë pagesat. Por pikërisht në këtë ditë, Ministria e Shëndetësisë priti në takim përfaqësuesit e kësaj kompanie, me të cilët u morën vesh që pagesa të kryhet brenda tre ditëve.

Bashkim Kameri, pronar i kësaj kompanie, bëri të ditur për Gazetën Sinjali se kanë ndërprerë të gjitha shërbimet funerale të enjtën në mbrëmje për shkak se ministria nuk ka kryer borxhin.

“Borxhi nuk ka përfunduar, ministria e Shëndetësisë nuk e ka kryer pagesën. Ne të enjten në mbrëmje e kemi ndërprerë punën. Pra, nga ajo ditë nuk jemi duke bërë përgatitjet për transportin e viktimave nga koronavirusi. Marrëveshjen me Ministrinë e Shëndetësisë nuk e kemi ndërprerë por nuk mundemi të vazhdojmë për shkak të financave”, ka thënë Kameri për Gazetën Sinjali.

Megjithkëtë, Kameri shtoi se ka informacione se disa kompani kanë bërë transport të të vdekurve nga COVID-19, por sipas tij një gjë e tillë është bërë në mënyrë joligjore, pasi kompanitë në fjalë nuk janë të licensuara.

Madje ai tha se nga e enjtja shumë viktima kanë mbetur pa u transportuar nga Spitali i Pejës dhe i Gjakovës. Sipas tij, kështu i kanë thënë familjarët e të vdekurve, me të cilët Kameri kishte kontakte.

“Disa kompani kanë kryer transportin në mënyrë joligjore, ata nuk janë të licensuar për t’i kryer këto shërbime. Unë mora vesh që po ka vonesa, kështu më kanë thënë familjarët e disa viktimave në Spitalin e Pejës e të Gjakovës, me të cilët kam pasur kontakt për raste të mëhershme. Bile një grua më ka thirrë, babain e saj e kemi transportuar kur ka vdekur, por asaj i kishte vdekur edhe nëna, më tha që ka mbetur pa u transportuar”, ka thënë tutje Kameri.

Ai njoftoi se nga fillimi i pandemisë kanë intervenuar në 352 raste.

Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë me zëdhënësin e ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti në lidhje me këtë çështje, por ai nuk është përgjigjur.

Javën e kaluar, Hoti pati deklaruar se kjo çështje është urgjente dhe do të zgjidhet së shpejti.

“Edhe ministria edhe SHSKUK-ja do të bëjnë një zgjedhje urgjente. Është temë urgjente dhe sa më shpejt që të kemi mundësi do ta zgjidhim. Ministria po merret me këtë çështje, që mos të kemi telashe”, ka thënë Hoti.

Deri më sot, sipas IKSHPK-së në Kosovë kanë vdekur 236 persona nga koronavirusi. /GazetaSinjali/