Humbja e milionave të buxhetit të Kosovës në Arbitrazh nuk ka të ndalur, madje kjo gjë është shndërruar në “pandemi”.
Gazeta Sinjali mëson se së fundmi kompania amerikane “Contour Global” e ka dërguar në Gjykatën e Arbitrazhit Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit të Republikës së Kosovës shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo kompani ishte kontraktuar nga Qeveria Haradinaj për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, por ishte tërhequr nga konkursi pas ardhjes së Albin Kurtit në pushtet.
Burime të Gazetës Sinjali brenda kësaj ministrie kanë bërë të ditur se njoftimin nga arbitrazhi për padi e kanë pranuar para disa ditëve.
Po ashtu, këto burime kanë bërë të ditur se ende nuk është ndërmarrë asnjë koordinim i vetëm për mbrojtje të MEA-së në këtë rast.
Por, për këtë padi nuk ka informacion ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.
“Nuk e di saktë, sepse jam i izoluar për shkak të COVID-it, për megjithatë pyetni zëvendësministrin Muharrem Nitaj” tha Kuçi.
Gazeta Sinjali ka provuar që të kontaktojë edhe me Nitajn, por edhe pas shumë përpjekjeve, ai ka rezultuar i paqasshëm.
Informacion për këtë rast nuk ka pasur as zëdhënësi i kësaj ministrie, njëherësh edhe këshilltar i lartë politik i ministrit Kuçi, Uran Haxha.
“Nuk mundem për momentin me të jap informacion, por nëse ka edhe diçka të re, e lëshojmë një komunikatë për media. Për momentin nuk kam informacion, për gjysmë ore të lajmëroj”, tha Haxha./Gazeta Sinjali/