Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës e ka shqyrtuar me prioritet gjendjen momentale të sportit në Kosovë.
BE i KOK në mbledhjen e 51-të të mbajtur, konstatoi se Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të lejojë zhvillimin e përgatitjeve për klube dhe organizimin e aktiviteteve tjera sportive.
KOK konstaton se ndërprerjet e stërvitjeve kanë ndikuar në zvogëlimin e numrit të sportistëve nëpër klube e rrjedhimisht edhe shuarjen e klubeve.
“Shumë trajnerë të klubeve kanë jetuar vetëm nga zeja e trajnerit dhe ndërprerja e stërvitjeve ka ndikuar në varfërimin e skajshëm të tyre, andaj kërkohet nga Qeveria e Kosovës që 5 milionë euro të premtuara nga Qeveria Kurti për mbështetje të sportit, kulturës e rinisë të ndahen me urgjencë dhe poashtu të trajtohet mundësia që për sport të ndahen mjete financiare shtesë, sepse humbjet në sport, përveç tjerash, janë të mëdha edhe në aspektin financiar” – thuhet në komunikatën e lëshuar nga KOK.
Njëkohësisht, Komiteti Olimpik shprehu gatishmërinë që të takohet me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe personat përkatës vendimmarrës për ta dhënë kontributin e tyre profesional, në mënyrë që me propozimet e dhëna ta bëjë më të lehtë vendimmarrjen nga institucionet përkatëse. /Sinjali Sportiv/