image Komisioni për Shëndetësi miraton projektligjin për pandeminë

Shëndetësi

Komisioni për Shëndetësi miraton projektligjin për pandeminë

news image

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale kanë votuar sot pro Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë.

Ata kanë kërkuar nga akterët përgjegjës që ky projektligj të procedohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës për lexim të parë.

Kryetarja e këtij komisionit, Albena Reshitaj ka shprehur gatishmërinë e të gjithëve për të kontribuar që ky projektligj të jetë sa më i plotë.

“Konsideroj që Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e përkrah në parim projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës. Si dhe kërkoj nga të gjithë akterët përgjegjës që sa më shpejt ta sjellim në Kuvend në lexim të parë dhe pastaj ta japim kontributin tonë për të gjitha këto nevoja për plotësim-ndryshim të cilat u cekën”, theksoi ai.

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili derisa i ka dhënë komentet e tij për këtë projektligjit tha se në parim është pro këtij projektligji, por kërkoi që ky ligj mos të bëhet ‘sa për sy e faqe’.

“Nëse është duke ndodhur një zbrazësi cilat janë hapa që i merr qeveria për të plotësuar atë zbrazësi sepse në të kundërtën ne po sillemi në formë neutrale që zgjidhja do të vije vetvetiu dhe ajo nuk vjen vetvetiu… Mbështetjen për këtë ligj e kemi edhe si grup parlamentar edhe si deputet por mos ta bëjmë sa për sy e faqe me thënë se po i japim një autorizim ministrit me ndalë një lagje atje apo këtu, atë po se po, por të paktën t’i japim edhe sistemit shëndetësor një mbështetje që edhe ata të dalin përtej asaj që kanë sot dhe përtej autorizimeve që i kanë sot”, tha ai.

Ndonëse u shprehën në parim për këtë projektligj për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID19, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri deklaroi se ky ligj nuk është i përkryer dhe ka nevojë për ndryshime.

Kurse, nënkryetari i këtij komisioni nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli kërkoi që në seancën e radhës të procedohet ky projektligj, pasi siç vlerësoi jemi të vonuar në këtë drejtim.

“Përkrahja e të gjitha grupeve parlamentare tregon një pjekuri, mendoj që duhet të votojmë dhe ta dërgojmë këtë ligj në lexim të parë. Ndërsa, ndërmjet dy leximeve na pret një punë e madhe dhe plotësimit dhe ndryshimit si dhe amandamentime të ndryshime që mund t’i bëjmë dhe të shërbejnë që ky ligj të jetë më i plotësuar… Jemi vonuar shumë, qytetari, qeveria dhe ministria e pret këtë ligj për punën e tyre të mëtutjeshme dhe nëse ky ligj shërben që kurba e pandemisë të bie atëherë do e kishim bërë një punë shumë të madhe”, theksoi ai.

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale kanë kërkuar që të vijë në raportim për gjendjen me COVID19 ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi. /Gazeta Sinjali/