Komisioni Evropian udhëzoi sot vendet anëtare që t’i hapin kufijtë e brendshëm të zonës Shengen dhe vendeve të asociuara që nga e hëna, më 15 qershor, ndërsa shtyu me dy javë të tjera pezullimin e udhëtimeve të panevojshme me vendet jashtë BE-së, deri më 30 qershor.
“Jemi gjithashtu në një situatë të mirë ku në të gjitha vendet anëtare janë në fuqi masat mbrojtëse dhe distancimi social. Prandaj u bëj thirrje të gjitha këtyre vendeve të heqin kufijtë e brendshëm të hënën”, tha Ylva Johanson, Komisionerja Evropiane për çështjet e brendshme.
Për hapjen e kufijve të jashtëm të BE-së Komisoni rekomandon hapjen graduale duke nisur nga data 1 korrik, për ato vende që paraqesin të njëjtën situatë epidemiologjike apo të një niveli më të mirë se në vendet anëtare; që mund të sigurojnë masat e mbrojtjes së shëndetit gjatë udhëtimit, dhe që respektojnë reciprocitetin në hapjen e kufijve.
Komisioni dhe vendet anëtare do të nisin përpilimin e një liste të gjelbër, ku vendet e Ballkanit janë vendet e para të përfshira sipas udhëzimeve të Komisionit.
“Ne propozojmë që së bashku me vendet anëtare të krijojmë një listë vendesh ndaj të cilave BE do të hapë kufijtë për udhëtimet drejt saj. Kjo listë shpresojmë të zgjatet më shumë e të përfshijë më shumë vende brenda, por kjo duhet të ndodhë në mënyrë graduale…”, shtoi ajo.
Komisioni Evropian propozon që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë në këtë listë që nga data 1 korrik.
Udhëzimet e Komisionit duhet të miratohen nga vendet anëtare që të hyjnë në fuqi dhe që funksionimi i zonës Shengen të rinisë, dhe në javët që vijnë do të përpilohet dhe lista e vendeve që do lejohen të udhëtojnë në BE duke nisur nga 1 korriku./ Gazeta Sinjali/