Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve, ka dërguar letër ministres së Financave, Hykmete Bajrami, ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, me kërkesë për të zvogëluar investimet në asfar, por ta rrisë përkrahjen.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, KOMF-i ka kërkuar që gjatë planifikimeve dhe rishikimeve buxhetore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbrojtja e të drejtave themelore të fëmijëve duhet të jetë prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke e vendosur këtë prioritet para investimeve kapitale.
“Për arsyet e cekura më sipër, KOMF kërkon: Shpalljen urgjente të thirrjeve të rregullta vjetore për financimin e Organizatave Jo-Qeveritare për ofrim të shërbimeve nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Rritjen e buxhetit për financimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore direkte të ofruara nga sektori jo-qeveritar”, thuhet në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF përmes një letre iu është drejtuar Ministres së Financave, Hykmete Bajrami, Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, për të kërkuar mbështetje të sektorit jo-qeveritar për ofrim të shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm. KOMF ka kërkuar që gjatë planifikimeve dhe rishikimeve buxhetore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbrojtja e të drejtave themelore të fëmijëve duhet të jetë prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke e vendosur këtë prioritet para investimeve kapitale.
Pandemia Covid-19 ka rënduar gjendjen e fëmijëve të cenueshëm, ku shumë prej tyre kanë mbetur pa shërbimet e nevojshme, sidomos fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët e përfshirë në punë të rënda, fëmijët në situatë rruge, fëmijët e neglizhuar etj. Në këtë fazë është e rëndësishme që të merren hapat e nevojshëm për zbutjen e pasojave tek fëmijët duke ofruar shërbime direkte cilësore, përmes financimit të qëndrueshëm të shërbimeve për fëmijët e cenueshëm, rritjes të mbështetjes ndaj ofruesve të shërbimeve dhe kontraktimin e tyre në këtë periudhë të vështirë gjatë dhe pas pandemisë.
Organizatat Jo-Qeveritare ofruese të shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm mbështeten financiarisht nga niveli qendror (MPMS dhe MSH), donatorë ndërkombëtar, komunat dhe sektori i bizneseve. MPMS dhe MSH përmes procesit të thirrjeve publike çdo vit kanë financuar organizatat e licencuara për ofrimin e shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm dhe qytetarët në nevojë për shërbime. Këtë vit si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, nuk ka pasur thirrje për mbështetje financiare të organizatave të licencuara që ofrojnë shërbime direkte. Poashtu, mbështetja nga sektori i biznesit ka rënë dukshëm për shkak të situatës të krijuar nga pandemia.
Për arsyet e cekura më sipër, KOMF kërkon:
-Shpalljen urgjente të thirrjeve të rregullta vjetore për financimin e Organizatave Jo-Qeveritare për ofrim të shërbimeve nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë.
-Rritjen e buxhetit për financimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore direkte të ofruara nga sektori jo-qeveritar.
KOMF ka parasysh që gjendja e përgjithshme ekonomike është rënduar si pasojë e pandemisë Covid–19 dhe mund të bëhen rishikime buxhetore. KOMF kërkon që në kuadër të rishikimeve buxhetore të bëhet rritja e buxhetit për financimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore direkte për fëmijët e cenueshëm të ofruara nga sektori joqeveritar./ Gazeta Sinjali/