Sot në 30 vjetorin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF u ka bërë thirrje institucioneve të marrin të gjitha veprimet përgatitore për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e fëmijëve.
“Në qershor të këtij viti, Kosova për herë të parë ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës. Ky ligj do të hy në fuqi një vit pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas KOMF, të dhënat e fundit flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve prej 20.7%. 10.7% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8% prej tyre punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4 % e fëmijëve në Kosovë kanë deklaruar që kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike gjatë muajit të fundit të intervistimit, kur është bërë hulumtimi. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë qasje në shërbime cilësore shëndetësore, sociale dhe arsim. Raportet nga institucionet qeveritare dhe joqeveritare flasin për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në sjellje që janë në kundërshtim me ligjin, përfshirë edhe dhunën, pasojat e së cilës në disa raste kanë qenë fatale për vetë fëmijët.
“KOMF mbetet i përkushtuar të mbështesë reformën e mbrojtjes sociale të fëmijëve, që garanton mbrojten e fëmijës, me fokus fëmijët e cenueshëm: fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët viktima të abuzimit, fëmijët e përfshirë në punë të rënda, fëmijët me aftësi të kufizuara etj. KOMF do vazhdojë të mbështesë zhvillimin në fëmijërinë e hershme dhe të avokojë për rritjen e cilësisë dhe integrimin e shërbimeve të mirëqenies sociale, shëndetësisë dhe arsimit. KOMF si koalicion i 29 organizatave joqeveritare, bazuar në objektivat e saj do vazhdojë fuqizimin e organizatave lokale në fushën e mbrojtjes së fëmijëve”, thuhet në njoftim.
Organizatat anëtare të KOMF:
Asociacioni për Trajnime Sociale, Hulumtime dhe Avokim – ASTRA, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, Balkan Sunflowers Kosova, Childproof / CIPOF, Education Comes First – ECF, Iniciativa 6, Organizata Rinore Akti – ORA, Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, OPFAKOS , Programi për të Drejtat civile – CRP/ K, PL4Y International, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, Qendra e Kujdesit Ditor PEMA, Qendra për Mbrojtjen e viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore – PVPT, Qendra për Studime te Avancuara – FIT, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës QKRMT, Save the Children, SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, Shpresa dhe Shtëpi për Fëmijët në Kosovë – SDSF, Shoqata e Të Drejtave Të Pacientëve në Kosovë – Prak Kosovë, Shoqata e Paraplegjikëve dhe e Paralizës së Fëmijëve të Kosovës – HANDIKOS, Terre des hommes, The Ideas Partnership, VoRAE, World Vision, Public Organization for Local Initiatives and Supports – POLIS, Network of Peace Movement – NOPM, SOS Kopshti dhe Nevo Koncepti./Gazeta Sinjali/