Teksa ditët kalojnë dhe përgatitjet vijojnë, thuajse të gjitha skuadrat e mëdha evropiane i kanë përcaktuar rivalët e tyre për ndeshje miqësore në muajin mars.
Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, dëshironte kundërshtarë të fortë, mundësisht skuadra evropiane për të matur forcën e ekipit të tij si dhe për t’u treguar futbollistëve kuqezinj se cila duhet të jetë qasja në finalet e Evropianit.
Në Federatën Shqiptare të Futbollit po punohet ende për t’i ofruar brazilianit kundërshtarët që ai kërkon por deri tani nuk ka qenë e mundur të përcaktohet. Agjencitë e organizimit të ndeshjeve miqësore me të cilat punon FSHF kanë ofruar deri tani pjesëmarrjen në një turne në Algjeri dhe mundësinë që Shqipëria të zhvillojë ndeshje me Bolivonë, Afrikën e Jugut dhe vetë kombëtaren Algjeriane.
FSHF ende nuk ka kthyer përgjigje për pjesëmarrjen në këtë event, teksa koha po kalon dhe gjërat bëhen më të vështira për të gjetur të tjera kombëtare të gatshme për t’u përfshirë në miqësore në datat e lira nga FIFA në muajin mars.
Kështu që me gjasë, Shqipëria do të udhëtojë për në Algjeri për këto takime miqësore nëse në një kohë të shkurtër nuk arrin të gjejë akordin me dy kombëtare evropiane.