image Kombet myslimane propozuan mbajtjen e shiritit kundër islamofobisë në Katar, FIFA e kundërshtoi

Futboll

Kombet myslimane propozuan mbajtjen e shiritit kundër islamofobisë në Katar, FIFA e kundërshtoi

news image

Vendet myslimane propozuan një shirit të Kupës së Botës në stilin e një shamie palestineze për të rritur ndërgjegjësimin për islamofobinë, por atyre iu tha se kjo do të shkelte rregullat e FIFA-s.

Zyrtarët nga Katari mikpritës i Kupës së Botës dhe vende të tjera me shumicë myslimane ishin në diskutime ‘të avancuara’ rreth kapitenëve nga vendet, përfshirë Arabinë Saudite dhe Marokun, që mbanin shiritat në krahë.

Ekipet kishin dizajnuar tashmë shiritin në krah, i cili përmbante fjalët “Nuk ka vend për islamofobinë” me një model shamie palestineze.

Por kur ata diskutuan për futjen e shiritave me FIFA-n, zyrtarëve iu tha se kjo do të shkelte rregullat e organit qeverisës botëror, raporton Sky News, përcjell Sinjali Sport.

Një zyrtar i Katarit tha se skuadrat, përfshirë Katarin, Arabinë Saudite dhe Marokun, ishin ‘të zhgënjyer’ nga vendimi.

Një zyrtar i lartë i Katarit i tha Sky News: “Para fillimit të turneut, Katari dhe disa nga ekipet e tjera me shumicë myslimane, ishin në diskutime të avancuara nëse lojtarët mund të mbanin shirita në krahë duke rritur ndërgjegjësimin për lëvizjen në rritje të islamofobisë.

“Kur propozimi i shiritit të krahut u diskutua përfundimisht me FIFA-n, atyre iu tha se ai shkelte rregullat e FIFA-s dhe nuk do të lejohej.

“Ekipet e pranuan vendimin, por ishin të zhgënjyer që një çështje e rëndësishme si kjo, e cila ndikon negativisht tek miliona muslimanë në mbarë botën, nuk po i jepej një platformë gjatë Kupës së parë Botërore që do të organizohej në një rajon me shumicë myslimane.”

Por FIFA hodhi dyshime mbi pretendimin e zyrtarit të Katarit, duke thënë se nuk ishte në dijeni të ndonjë propozimi për shiritat.

Mosmarrëveshja për shiritat e krahut ka dominuar pjesën më të madhe të Kupës së Botës pasi FIFA kërcënoi kapitenin e Anglisë, Harry Kane dhe kapitenët e tjerë të Kupës së Botës me sanksione të rënda nëse ata do të mbanin shiritat e tyre anti-diskriminues “OneLove” në fushë.

Ekipi i Anglisë kishte planifikuar të mbante shiritin LGBTQ+ së bashku me gjashtë ekipe të tjera evropiane si Gjermania dhe Danimarka në Kupën e Botës të Katarit përpara se FIFA të kërcënonte se do t’u jepte kartona të verdhë lojtarëve.

Por muajin e kaluar, doli se sanksionet do të kishin qenë shumë më të ashpra nga sa mendohej fillimisht.

Kane, kapiteni i Uellsit, Gareth Bale dhe pesë kapitenët e tjerë do të ishin penguar të hynin në fushë me shiritin e “OneLove”.

Federata Gjermane e Futbollit (DFB) pretendoi muajin e kaluar se Anglia dhe skuadrat e tjera u përballën me ‘shantazh ekstrem’ ose ‘sanksione masive’ që çuan në heqjen e gjestit.

Që kur iu dha e drejta e organizimit të Kupës së Botës në vitin 2010, kombi konservator mysliman Katari është përballur me një mori kritikash, veçanërisht për kriminalizimin e homoseksualitetit.

Tani ka dalë në pah se Katari dëshironte të prezantonte shiritin e vet kundër islamofobisë me vendet e tjera me shumicë myslimane si Maroku dhe Arabia Saudite.

Disa tifozë futbolli nga vendet me shumicë myslimane thanë se ishte një mundësi e humbur për të mos përfshirë shiritat në krahë.

“Unë mendoj se është diçka shumë e bukur, sepse ajo që njerëzit mendojnë për Islamin është shumë e keqe në mbarë botën,” tha për Sky News Yusef, një pilot nga Jeddah, Arabia Saudite.

“Pra, në fakt është diçka e këndshme që njerëzit të ndryshojnë mendimet e tyre dhe… ishte një ide e përsosur.”

Por një tjetër tifoz mysliman, Yazeed, tha se ishte e drejtë që FIFA të ndalonte shiritin kundër islamofobisë, duke thënë se ishte “mënyra më e mirë për të mbajtur gjithçka të fokusuar në të gjithë sportin”.

/GazetaSinjaliSport/