Komandanti legjendar i UÇK-së, Hamëz Jashari, po të ishte gjallë sot do të festonte ditëlindjen e 73-të.
Për këtë, ish-kryetari i Skenderajt, djali i tij, Bekim Jashari, i ka bërë homazhe te varri i tij në Prekaz.
“Urime Ditëlindjen Babush! Sot, në ditëlindjen e 73-të të babushit Hamëz Jashari, bashkë me familjen bëmë homazhe te varri i tij, aty ku pushon bashkë me pjesën tjetër të familjes që ranë për të mos vdekur kurrë”, shkroi Jashari në Facebook.
Ai falënderoi komandantin Jashari për sakrificën, teksa kujtoi rënien e tij heroike para 25 viteve.
“Kujtimi për babushin edhe sot, 25 vite pas nga rënia e tij heroike mbetet i freskët, mësimet e tij për jetën, atdhedashurinë, sinqeritetin e trimerinë kanë qenë dhe mbeten frymëzimi ynë jetësor. Përjetë mirënjohës ndaj teje babush që na rrite e edukove nën frymën patriotike e të dashurisë për atdheun. Urime babë ditëlindja e 73-të!”, përfundoi Jashari.