image Kolona me automjete, momenti kur dërgohen në IPK policët e arrestuar për korrupsion

Siguri

Kolona me automjete, momenti kur dërgohen në IPK policët e arrestuar për korrupsion

news image

Inspektorati Policor sot ka zhvilluar një mega aksion kundër korrupsionit, me ç’rast janë arrestuar dhjetëra zyrtarë policorë të Policisë Kufitare, si dhe dy doganierë.

Sinjali ka siguruar pamjet nga momenti kur policët e arrestuar dërgohen në IPK.

Ndryshe, Gazeta Sinjali sot raportoi ekskluzivisht për këtë aksion mes IPK-së dhe Prokurorisë Speciale, që ia ka paraprirë një hetim një vjeçar.

Hetimet kundër korrupsionit dhe kontrabandës në pikat kufitare në Qafë Morinë dhe në Qafë të Prushit, i nisur rreth një vit më parë nga Inspektorati Policor i Kosovës, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, rezultoi me identifikimin e dhjetëra zyrtarëve policorë të dyshuar për korrupsion.

Rreth 48 zyrtarë policorë kufitarë dhe dy doganierë po dyshohen për korrupsion e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se në mesin e zyrtarëve policorë të identifikuar si të dyshuar për korrupsion janë edhe dy komandantët e pikave kufitare që ishin objekt hetimi.

Toger Ramiz Ahmeti, komandant i pikës kufitare Qafë Prushi dhe toger Xhavit Lokaj nga Gjakova, si komandant i pikës kufitare Qafë Morinë, regjioni perëndimor i kufirit Gjakovë, po dyshohen se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “marrje ryshfeti”.

Përveç zyrtarëve policorë, janë prangosur edhe dy zyrtarë doganorë, Senad Zherka e Enist Tortulla.

Zyrtarët policorë dhe ata doganorë dyshohet se për muaj të tërë u kanë  mundësuar dhjetëra qytetarëve shqiptarë dhe kosovarë kalimin kufitar në mënyrë të parregullt, për çka dhe kanë pranuar si ryshfet shuma të konsiderueshme të parave.

Hetimi i realizuar nga IPK-ja nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës është një nga goditjet më të rënda të korrupsionit brenda Policisë së Kosovës që nga themelimi i këtij institucioni.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/