KOMF (Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve) e ka dënuar rastin e fundit të dhunës ndaj një fëmije në një kopsht në Prishtinë dhe ka kërkuar nga autoritetet që të marrin masat e duhura sipas ligjeve në fuqi.
KOMF gjithashtu ka kërkuar që të ndërpritet puna e të gjitha kopshteve të cilat nuk operojnë në bazë të standardeve dhe që nuk kanë licencë pune.
“Aktualisht, pjesa dërrmuese e institucioneve parashkollore dhe programeve alternative në Kosovë nuk kanë politikë për mbrojtjen e fëmijëve, për pasojë nuk kanë një sistem për parandalim dhe mbrojtje të fëmijëve e as sistem të brendshëm të reagimit dhe raportimit. Për më tepër një numër i madh i kopshteve private vazhdojnë të punojnë pa licencë duke mos ju nënshtruar procesit të monitorimit dhe inspektimit. KOMF kërkon të ndërpritet puna e të gjitha kopshteve të cilat nuk operojnë në bazë të standardeve dhe nuk kanë licencë”, thuhet në komunikatën e KOMF-it.
Me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve në institucionet parashkollore, KOMF ka kërkuar që draft-Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme i cili është në proces hartimi, të parashikojë krijimin e politikës për mbrojtjen e fëmijëve për institucionet parashkollore dhe ofruesit e shërbimeve të fëmijërisë së hershme./GazetaSinjali/