image KMDLNJ reagon për shtrenjtimin e sigurimit të veturave dhe “haraçin” për të hyrë në Kosovë

Kosovë

Financa/ KMDLNJ reagon për shtrenjtimin e sigurimit të veturave dhe “haraçin” për të hyrë në Kosovë

news image

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e kundërshton rritjen e taksës për sigurim të automjeteve nga kompanitë e sigurimeve.

Me anë të një komunikate për media, KMDLNJ e bën përgjegjëse kryesore BQK-në, e cila, sipas Këshillit, “në vend se ta luajë rolin e rregullatorit të këtyre kompanive, po bëhet pjesë e zhvatjes aktive të buxhetit të qytetarëve të Kosovës”.

“Kompanitë e Sigurimeve të Kosovës kërkuan nga BQK t’u lejohet rritje prej 36.5% për sigurimin e automjeteve kurse BQK u tregua më ‘dorështrënguar’ ndaj tyre dhe me ‘bujare’ ndaj qytetarëve duke e lejuar rritjen prej 21.5% për sigurimin e automjeteve e që është në kundërshtim të plotë më mundësitë financiare të qytetarëve sikur që kjo është shumë më e lartë se inflacioni zyrtar në Kosovë. Që nga përfundimi i luftës, kompanitë e sigurimeve në Kosovë kanë caktuar tarifat e sigurimeve duke pasur parasysh interesin dhe përfitimet e atyre që kanë drejtuar kompanitë, e të cilët kanë qenë instrument ekzekutiv i politikanëve të kriminalizuar të cilët kanë menaxhuar këtë strukturë përmes familjarëve të tyre apo ndikimit politik”, ka thënë KMDLNJ.

Në ndërkohë, Këshilli ka folur edhe për Kartonin e Gjelbër, pjesë e së cilit nuk është Kosova, duke thënë se për pasojë mërgimtarët duhet të paguajnë “haraç” kur hyjnë në Kosovë.

“Për vite të tëra, vazhdon edhe tani, që bashkatdhetarët nga diaspora janë detyruar të paguajnë ‘haraçin’ gjatë hyrjeve në Kosovë me arsyetimin se, meqë Kosova nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër, janë të detyruar të zbatojnë këtë pagesë krejtësisht diskriminuese e që nuk bëhet në vendet e tjera. Byroja e Sigurimeve të Kosovës (BSK) është arsyetuar se në Kosovë qarkullojnë mbi 100.000 automjete të paregjistruara dhe të pasiguruara prandaj edhe ndahen me humbje në ndërkohë që pagat e tyre nuk dallojnë aspak nga kolegët e tyre në vendet më të zhvilluara të botës”, ka thënë KMDLNJ.

Tutje, Këshillit thotë se sipas BSK-së, qarkullimi i mbi 100.000 automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara paraqet edhe njërën ndër pengesat kryesore që Kosova nuk qenka pjesë e Kartonit të Gjelbër, e në ndërkohe që në këto bisedime, sipas KMDLNJ-së, “Kosova është përfaqësuar nga niveli më i ulët profesional i cili nuk ka përfaqësuar interesin e qytetarit pos interesin personal dhe të politikës”.

Më tej, KMDLNJ thotë se Byronë e Sigurimeve te Kosovës, gjatë tërë kohës e kanë përcjellë afera korruptive dhe keqmenaxhim financiar në ndërkohë që asnjëherë nuk ka arritur të ndërtojë dhe stabilizojë një piramidë menaxhuese, profesionale dhe të qëndrueshme.

“Qytetarët e Kosovës, pagues të rregullt të sigurimeve për veturat e tyre nuk mund dhe nuk duhet të penalizohen duke ua mbuluar humbjet kompanive të sigurimeve shkaku i 100.000 veturave të pasiguruara dhe të paregjistruara si dhe menaxhimit të keq të të hyrave”, ka thënë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut.

KMDLNj mendon se pikërisht ulja e çmimeve tarifore për sigurim dhe regjistrim të automjeteve mund të ndikojë shumë në zvogëlimin e numrit të 100.000 veturave të pasiguruara dhe të paregjistruara.

“Rritja e paralajmëruar e tarifave nga kompanitë e sigurimeve, me pëlqimin diskriminues të BQK-së vetëm sa do ta rrisë numrin prej 100.000 automjeteve të pasiguruara dhe të paregjsitruara. Mosrenditja e bashkëpunimit midis Byrosë së Sigurimeve të Kosovës dhe Policisë së Kosovës gjithashtu ndikon në rritjen e numrit të automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara si dhe e betonon ndarjen thuaja legale në përqindje te tregut të kompanive te sigurimeve që pastaj e kanë lehtë të manipulojnë me tarifa dhe çmimeve, gjithmonë në dëm të interesit të qytetarit të Kosovës si dhe diasporës”, ka përfunduar KMDLNJ./Gazeta Sinjali/