Koronavirusi po shkakton shumë probleme edhe në Botën e futbollit, përfshirë këtu edhe atë zvicerian. Është skuadra e Sion që nuk ka duruar dhe u ka dërguar një dokument 9-të futbollistëve për të pranuar një marrëveshje, sipas së cilës ata do të duhet të vazhdonin me pagë maksimale 12350 franga zvicerane, shifër kjo e vlefshme me atë që jepet nga sigurimet shoqërore kur je i papunë.
Në mesin e këtyre futbollistëve janë edhe strugani, Pajtim Kasami, si dhe reprezentuesi i Kombëtares shqiptare, Ermir Lenjani, të cilët kishin kohë deri ditën e djeshme në mesditë për t’i kthyer një përgjigje klubit.
Normalisht futbollistët nuk e kanë pritur mirë një gjë të tillë dhe nuk kanë qenë dakord, sidomos prej mënyrës se si ndodhi e gjithë kjo.
Nga ana tjetër drejtuesit e Sionit, sipas të përditshmes zviceriane “Blick”, nuk u është përgjigjur futbollistëve për të dhënë sqarime të mëtejshme.
Teza e Sion është që “Jemi të privuar nga të gjitha të ardhurat tona. Na është ndaluar t’u ofrojmë punën e tyre dhe jemi të ndaluar që ata ta bëjnë punën”.
Shoqata Zvicerane e Futbollistëve është ankuar menjëherë pas vendimit të marrë nga klubi i Sionit, teksa kërkohet që këto largime abuzive të anulohen menjëherë dhe të hapet një diskutim rreth zgjidhjeve që mund të ketë për të dalë nga kjo situatë e vështirë që është krijuar për shkak të pandemisë.