image Klubi ku vepron babai i tij merr subvencione nga komuna, kryetari i Prizrenit s'e quan konflikt interesi

Kosovë

Vendimi/ Klubi ku vepron babai i tij merr subvencione nga komuna, kryetari i Prizrenit s’e quan konflikt interesi

news image

Komuna e Prizrenit kishte ndarë subvencione për 41 organizata joqeveritare në prill të vitit të kaluar. Njëra nga këto OJQ që kishte përfituar subvencione ishte edhe Klubi Hendbollistik “Lidhja e Prizrenit”, bashkëthemelues i së cilit është babai i kryetarit të Prizrenit, Daver Haskuka.

I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka pohuar se babai i tij është bashkëthemelues i këtij klubi, por ka thënë se ai nuk është pronar dhe se subvencionimi nuk ka qenë konflikt interesi.

“Si mund të jetë konflikt interesi, babai im edhe para luftës, edhe pas luftës e ka mbajtur klubin hendbollistik’’, ka thënë Haskuka.

Ndarja e subvencioneve për OJQ-të për sport sipas tij është bërë me shpallje publike dhe komision që i vlerëson në mënyrë të drejtë të gjitha procedurat.

“Organizata joqeveritare është organizatë publike, nuk ka bashkëthemelues. Klubi ‘’Lidhja e Prizrenit’’, ka ekzistuar edhe 50 vjet para se me u regjistru si OJQ’’, ka thënë Haskuka për Gazeta Sinjali.

Vendimi për ndarjen e subvencioneve u nënshkrua nga drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prizrenit, Ehat Oreshka më 8 prill të vitit të kalauar. /Gazeta Sinjali/