image Klubi i prodhuesve e mbështet vendimin për reciprocitet

Kosovë

Ekonomi/ Klubi i prodhuesve e mbështet vendimin për reciprocitet

news image

Klubi i Prodhuesve të Kosovës e përkrah miratimin e vendimin nga Qeveria e Kosovës për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë. Vendim ky i cili obligon që në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, emërtimet në certifikatat fitosanitare dhe certifikatat veterinare, bashkë me dokumentet tjera përcjellëse të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

“Klubi i Prodhuesve beson në tregtinë e lirë dhe në integrimet rajonale dhe evropiane, por po ashtu besojmë se në marrëdhëniet tregtare duhet të respektohen parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjet e ndryshme ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e këtij klubi.

Tutje, ky klub e ka konsideruar me rëndësi që qeveria të monitorojë masat dhe të mbrojë tregun vendor me masat anti-dunping dhe nga praktikat jo të drejta tregtare, pasi, sipas tyre, në të kaluarën shumë produkte serbe kanë hyrë në tregun e Kosovës të subvencionuara ose nën koston e prodhimit kështu duke i bërë prodhuesit vendor jo-konkurrues.

Në fund, Klubi i Prodhueseve apelon që prodhuesit, ndërmarrësit dhe tregtarët të raportojnë të gjitha barrierat të cilat i hasin gjatë aktivitetit të tyre në web platformën e Ministrisë së Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike për adresimin dhe eliminimin e barrierave tregtare./Gazeta Sinjali/