KF Dukagjini po kalon periudhë të keqe gjatë këtij sezoni. Klubi nga Klina këtë vit u ngjit në Superligën e Kosovës.
Ndonëse për 16 vjet qëndroi në rangun e dytë të futbollit të Kosovës, KF Dukagjini ka një buxhet shumë të kënaqshëm për nivelin financiar të klubeve në vendin tonë.
Buxheti i Dukagjinit për një sezon futbollistik është 330 mijë euro, shkruan Insporti.
Për pagat e futbollistëve, presidenti i KF Dukagjinit, Fabian Veseli ka thënë se shpenzojnë 25 mijë euro.
“Dukagjini ka një buxhet prej 330 mijë eurove. Në paga të futbollistëve shpenzojmë 25 mijë euro. Ana financiare e klubit qëndron mirë, për faktin se edhe diaspora e qytetit tonë na ndihmon, së bashku me disa biznese këtu të Klinës, pa harruar edhe komunën”, deklaroi Veseli për Insportin.
Ai tha se bashkë me trajnerin Severin Elezaj është angazhuar në disa transferime të mundshme që mund të ndodhin në afatin kalimtar të janarit.
“Jemi në bisedime me disa futbollistë, por ende asgjë nuk ka konkrete. Nga Dukagjini janë larguar disa futbollistë, por mund të largohen ende. Shpresojmë ta sigurojmë mbijetesën në Superligë”, tha ai.
Dukagjini sezonin vjeshtor e përfundoi në pozitën e fundit me tetë pikë të grumbulluara.