E shtrirë në krevatin lëvizës dhe e asistuar me aparatura mjekësore u soll në Klinikën Infektive me autoambulancë, pasditen e së mërkurës, një paciente e konfirmuar me COVID-19 nga Komuna e Vushtrrisë. Pesë minuta pas mbërritjes, ajo u dërgua në objektin e Mjekësisë Sportive, aty ku pacientët e infektuar me COVID-19 janë duke trajtuar me oksigjenoterapi.
Ekipi i KOHËS, gjatë qëndrimit për afro tri orë në ambientet e QKUK-së, pa nga afër edhe shumë autoambulanca të tjera që sillnin nga vende të ndryshme të Kosovës pacientët e dyshuar me COVID-19, apo me probleme të tjera shëndetësore.
Me pamje të tilla, tash e katër muaj, përveç stafit mjekësor të Klinikës Infektive, janë duke u përballur edhe pacientët e familjarët e tyre.
Trajtimin në këtë klinikë tash e dy javë po e vazhdon R. Krasniqi nga Komuna e Prishtinës, i cili është infektuar me COVID-19. Ai kishte dalë në ballkonin e dhomës ku ishte vendosur, teksa tregon se është i kënaqur me stafin mjekësor. Por, Krasniqi ka një shqetësim. Ai e konsideron mundësi të përhapjes së virusit shoqërimin e personave të infektuar nga familjarët.
“Ka njerëz që vijnë, edhe familjarë të tyre që rrinë me ta, po nuk është që vijnë prej dëshirës. Dy infermierë janë me një repart, ata nuk munden me qenë në të njëjtën kohë në të njëjtën dhomë. Tash ky virusi është aso që as vetë nuk pe din çka… në moment e sulmon pacientin”, thotë Krasniqi, teksa tregon se është infektuar nga gruaja e tij, e cila është punonjëse e QKUK-së.
Ndërkohë që R. Krasniqi, nga ballkoni i Klinikës Infektive, ka apeluar te qytetarët që t’i respektojnë masat dhe ta marrin më seriozisht çështjen e virusit, M. Cakolli, një tjetër qytetar, tregon arsyen se pse po qëndronte te Klinika./Gazeta Sinjali/