Me rastin e 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, ka vendosur flamurin kombëtar tek zyra në Bujanoc edhe pse kjo është e ndaluar.
“Edhe sot si katër vite radhazi, nga pozita e kryetarit të këtij institucioni, vendosëm të valoj flamurin kombëtar në Këshillin Kombëtar Shqiptar”, tha Ragmi Mustafi.
Më tej kryetari i KKSh-së, theksoi se kjo po bëhet në nder të sakrificës së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Pavarësisht, përndjekjes së autoriteteve serbe e ndalimit me ligj.
Mustafi, tha se nuk është zgjidhje vendosja e flamurit kombëtar krahas atij serb për një ditë si kompromis në heshtje i mos zhvillimit të procedurave të kundërvajtjes. E as vendosja, vetëm flamurit kombëtar për një ditë të vetme.
“Vetë ndalimi me ligj i flamurit kombëtar shqiptar është njollosje e tij nga shteti. Nuk i takon shtetit t’i përzgjedhë veçoritë identitare të bashkësive të ndryshme etnike/kombëtare”, tha Mustafi.
Më tej ai theksoi se Këshilli Kombëtar Shqiptar do ta vazhdojë betejën politike dhe juridike për legalizimin e simboleve kombëtare shqiptare.
“Simbolet tona. Pa ndryshime. Pa dallime. Simbolet kombëtare nuk duhen ndryshuar. Janë ligjet diskriminuese ato që duhen ndryshuar. Flamuri kombëtar shqiptar do të valojë në Luginën e Preshevës. Gjithnjë, gjithmonë, përgjithmonë. Urime 28 nëntori – Dita e Flamurit”, tha Mustafi.