Afati për aplikim për t’u regjistruar në vitin e parë të studimeve në Universitetin e Prishtinës përfundon sot. Në mesin e dokumenteve që kërkohen për të aplikuar është edhe letërnjoftimi. Por një studentes i ka dalë problem për t’u regjistruar në departamentin e Psikologjisë, në fakultetin filozofik. Në vend të letërnjoftimit, ajo ka tentuar të aplikojë me pasaportë, por që nuk iu është pranuar ky dokument.
Lidhur me këtë rast ka folur nëna e saj, në një prononcim për Sinjalin. Ajo shprehet e mllefosur se si nuk mund të aplikojë vajza e saj, me një dokument siç është pasaporta, të cilën, ajo thotë se e ka valide.
Ajo thotë se “nuk është normale” që më shumë rëndësi të ketë letra e aplikimit për letërnjoftim, siç ia kanë kërkuar vajzës së saj, sesa pasaporta, si mjet identifikimi i saj.
“I ka të gjitha dokumentet. Mjet identifikimi e ka pasaportën dhe po i thonë se shko apliko për letërnjoftim se neve qajo letër na duhet. Dmth më e vlefshme është letra e aplikimit për letërnjoftim se mjeti i identifikimit, pasaporta që e ka. Vajza po dëshiron me apliku në Psikologji. Kjo nuk është normale. Pse mos me u pranu pasaporta. Kjo identifikohet me pasaportë, nuk është pa dokument identifikimi. Ajo duhet me u zëvendësu”, tha ajo për Sinjalin.
Sipas saj, personat përgjegjës në fakultet, i kanë thënë vajzës së saj që të kërkojë nga rektorati një letër që e lejojnë të aplikojë me pasaportë.
“Më thanë shko në rektorat, por sot nuk punon, e më thanë mere një letër më shkrim që ta lejon. Kjo është absurde, ma e rëndësishme me qenë letra që ke apliku për letërnjoftim se pasaporta. Nuk po mundem me kuptu”, shtoi ajo për Gazetën Sinjali.
Nëna e vajzës shtoi se do t’i dërgojë e-mail Rektoratit, fakultetit, ministrisë, por edhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, lidhur me këtë çështje.