Ka përfunduar operacioni i ish-kryetarit të OVL-UÇK Hysni Gucati. Ai i është nënshtruar një operimi në këmbë pasi kishte plagë të cilat i kishte marrë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin, i biri i tij, Musli Gucati. Ai tha se operimi ka përfunduar me sukses
“Për shkak të plagëve që i ka marrë gjatë luftës, operacionin e ka pas në këmbën e djathtë. Për momentin janë duke e përcjell mjekët për me pa se si po reagon gjendja, për momentin mirë është. Shpenzimet janë mbuluar nga Gjykata Speciale”, tha ai për Sinjalin.
Ndërsa tha se janë në pritje të përgjigjes nga Gjykata Speciale për aprovim të kërkesës së familjareve për ta vizituar Gucatin.
Theksojmë se më 18 maj, Gucati është dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim, si dhe me 100 euro gjobë.
“Në emër të popullit të Kosovës, për arsyet e shtjelluara, Trupi Gjykues, ju shpall ju fajtor për pengim të personave zyrtar nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim i personave zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të informacionit të fshehtë, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, u tha në aktgjykim.