Sot është liruar ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faik Fazliu, i cili u arrestua mbrëmë në një kafeteri në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Ndonëse, ndaj tij mbrëmë ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë, prokurori i rastit ka vendosur që Fazliu të lirohet dhe që rasti të shkojë në procedurë të rregullt.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Prizren, Lutfi Morina, tha për Sinjalin se Fazliu është liruar pasi që prokurori i rastit ka vlerësuar se nuk ka arsye që ai të mbahet në ndalim.
“Po është liruar, e kanë dëgjuar të njëjtin dhe kanë vlerësuar që nuk ka rrethana ta mbajnë më tutje në ndalim dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt”, tha ai.
Morina tha se prokurori sot e ka dëgjuar versionin e Fazliut, pasi që mbrëmë ai është intervistuar vetëm nga hetuesit policorë.
Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së u arrestua nga policia, me arsyetimin se ka kërcënuar verbalisht një zyrtar policor, pretendime këto të cilat u hodhën poshtë nga bashkëshortja e Fazliut, Alketa Gashi – Fazliu.
Ajo në një prononcim për Gazetën Sinjali tha se bashkëshorti i saj nuk ka bërë asnjë reagim, mirëpo zyrtari policor e ka shtyrë, duke e rrëzuar përtokë dhe pastaj duke e prangosur.
Gashi – Fazliu vlerësoi se policia i ka tejkaluar të gjitha kompetencat në këtë rast./Gazeta Sinjali/