image Kisha Katolike Franceze pranon t'i kompensojë viktimat e abuzimit seksual të fëmijëve

Evropë

Kisha Katolike Franceze pranon t’i kompensojë viktimat e abuzimit seksual të fëmijëve

news image

Kisha Katolike e Francës ka pranuar t’i kompensojë financiarisht viktimat e abuzimit seksual të fëmijëve, transmeton EuroNews, përcjell Sinjali.

Peshkopët thanë se do të krijojnë një organ kombëtar përgjegjës për kompensimin e viktimave të dhunës seksuale.

Presidenti i Konferencës së Peshkopëve të Francës, Eric de Moulins-Beaufort, tha në një takim vjetor në Lourdes se Kisha ka ndërmarrë një hap vendimtar në njohjen e përgjegjësisë së saj institucionale.

Kisha kishte vendosur të shkonte në “në një rrugë të njohjes dhe dëmshpërblimit që hap rrugën për viktimat për të marrë mundësinë e ndërmejtësimit dhe komensimit”, tha Moulins-Beaufort.

Ky njoftim vjen një muaj pasi një raport zbuloi abuzim seksual të fëmijëve në shkallë të gjerë brenda Kishës Katolike Franceze.

Një komision i pavarur ka bërë të ditur se rreth 330 mijë fëmijë u abuzuan seksualisht gjatë 70 viteve të fundit nga priftërinjtë ose njerëz të tjerë të lidhur me Kishën.

Raporti gjithashtu përshkruan një mbulim sistemik të abuzimeve dhe i kërkoi Kishës Katolike të respektonte sundimin e ligjit në Francë.

“Ne ndjemë neveri dhe tmerr brenda nesh kur kuptuam se sa shumë vuajtje kishin jetuar dhe po jetonin kaq shumë njerëz”, tha Moulins-Beaufort.

Komiteti do të kryesohet nga  avokatja Marie Derain de Vaucresson, një ish-ombusmene e fëmijëve, shtoi ai.

Peshkopët francezë i kanë kërkuar gjithashtu Papa Françeskut t’i ndihmojë ata duke dërguar dikë për të shqyrtuar mënyrën se si ata trajtojnë rastet e abuzimit seksual të fëmijëve. /Gazeta Sinjali/