Kina tha sot se bio-laboratori i saj në Vuhan, tashmë në qendër të kritikave për origjinën e pandemisë së koronavirusit, është një operacion franko-kinez me staf të trajnuar në Francë, ndërsa u shpreh e hapur për një hetim të mundshëm të OBSH për origjinën e Covid-19.
Duke akuzuar sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo për fabrikim gënjeshtrash mbi laboratorin e Vuhan, ministria e jashtme kineze u përpoq të refuzonte kritikat për evidentimin e rolit të Francës në çështje.
Zëdhënësja Hua Chunying tha: “Ndoshta ai (Pompeo) ende nuk e di se laboratori i kategorisë P4 në Vuhan është një projekt qeveritar bashkëpunimi franko-kinez dhe ndjek standardet ndërkombëtare në dizajnin dhe menaxhimin e tij. Grupi i parë i punonjësve janë trajnuar në laboratoret e Francës”.
Ditët e fundit Donald Trump dhe sekretari i tij i shtetit Pompeo kanë pretenduar se virusi e ka origjinën në Laboratorin e Virologjisë në Vuhan, ku dhe epidemia vrasëse u pikas për herë të parë.
Hua ngriti përsëri pyetjen nëse Pompeo mund të publikojë ato që ka quajtur prova bindëse mbi pretendimet e tij. “Ai kundërshton vetveten, sajon gënjeshtra për të mbuluar gënjeshtra të tjera. Ky është njëfarë sekreti i hapur”, tha ajo.
Hua përmedni gjithashtu faktin se President Trump e ka quajtur njëherë Covid-19 një sulm më i rëndë se ai në Pearl Harbour gjatë Lluftës së Dytë Botërore apo se sulmet terroriste të 2001, duke thënë se armiku është koronavirusi e jo Kina.
“Armiku me të cilin përballet SHBA është koronavirusi. Prandaj ata duhet të punojnë me Kinën si një bashkëpunëtore në luftën kundër armikut. Vetëm përpjekjet e bashkuara mund të sjellin fitoren ndaj virusit”, tha ajo./ Gazeta Sinjali/