image Kievi dhe Moska me akuza të ndërsjella për dështimin e evakuimit të civilëve

Botë

Kievi dhe Moska me akuza të ndërsjella për dështimin e evakuimit të civilëve

news image

Për të dytën ditë me radhë, planet për evakuimin e civilëve nga qyteti Mariupol kanë dështuar, kanë thënë zyrtarët ukrainas, teksa të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën.

Banorët do të duhej të evakuoheshin nga Mariupoli nga ora 10:00 deri në orën 21:00 sipas kohës lokale, në bazë të një marrëveshjeje për armëpushim lokal. Por, këshilltar i Ministrisë së Brendshme ukrainase, Anton Gerashchenko, tha se evakuimi është pezulluar për shkak të sulmeve të vazhdueshme nga trupat ruse.

“Nuk ka ‘korridore të gjelbra’ sepse rusët vendosin vetë se kur do të nisin të shtënat dhe ndaj kujt”, tha ai.

Por, presidenti rus, Vladimir Putin, ka fajësuar palën ukrainase për dështimin e evakuimit nga Mariupoli, që është qytet port në juglindje të Ukrainës. Ky qytet për pesë ditë me radhë është i rrethuar nga forcat ruse.

Putin i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike që zhvilloi të dielën me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Sipas Kremlinit, Putin ka theksuar se Kievi “ende nuk po përmbush marrëveshjet e arritura për këtë çështje akute humanitare”, raporton REL.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se në 11 ditë të luftës në Ukrainë, mbi 1.5 milion ukrainas janë larguar nga shteti.

/GazetaSinjali/