Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka komentuar deklarimin e sotëm të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila foli për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit Prokurorial të Kosovës.
Kica, në një shkrim në Facebook, shkroi se ministrja Haxhiu paska filluar ta vë në pikëpyetje kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese.
“Kjo Gjykatë Kushtetuese e ka rrëzuar Qeverinë Hoti – vendim që i shkoi për shtat asokohe ministres Haxhiu. Kjo Gjykatë Kushtetuese ka gjetur me të drejtë 22 shkelje në marrëveshjen për Asociacionin – që i shkoi për shtat gjithë VV-së si pretekst se në pushtet kishim shkelës të Kushtetutës. Por, kur e njëjta gjykatë ka filluar t’i evidentojë shkeljet e ministres Haxhiu, ajo paska filluar të befasohet”, ka shkruar Kica në Facebook.
Sipas Kicës, Haxhiu sot është zyrtarisht shkelësja e kushtetutës që dikur e përçmonte si tradhti kombëtare dhe “i dhemb rruga që ka shtruar vetë me kolegë”.
Ajo tha se për ministren e Drejtësisë, më nuk qenka e mirë Gjykata Kushtetuese.
“I paska rënë ndërmend se në pushtet paska ndonjëherë edhe njerëz që gabojnë, jo monstrumë. Megjithëse duke i njohur – këta nuk gabojnë pa qëllim. Për ministren nuk qenka më Gjykata Kushtetuese e mirë. Ndryshon puna tash. Fati që kushtetutshmëria e këtij vendi nuk varet nga Albulenat. E natyrisht as nga Doarsat. Qoftë gjithmonë kështu”, shtoi ajo.