Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka kërkuar në Kuvend krijimin e një linje të veçantë telefonike për raportimin e dhunimeve dhe sulmeve seksuale nga viktimat.
“Kërkojmë të krijohet linjë e veçantë telefonike për raportimin e dhunimeve dhe sulmeve seksuale, të financohen dhomat për dëshmi në këto raste”, tha deputetja.
Kica-Xhelili, mes tjerash, kërkoi që dënimet të ashpërsohen për dhunesit.
“KGJK ka nevojë për staf mbështetës, të bashkëpunëtoreve profesional dhe kjo normë nuk është përmbushur. Sot viktima kur të shkojë të raportojë dhe të merret në pyetje nuk ka psikolog në të shumtën e rasteve. Po ashtu duhet të hulumtohet se pse nuk po zbatohet vendimi i dënimit për këto vepra teksa shqiptohen dënime prej 8 muaj e 8 ditë për dhunues”, tha ajo.
“Ne po i rrisim fëmijët tanë në një ambient të pasigurt, gratë dhe vajzat tona sot mendojnë nëse duhet ta mbajnë çelësin e kerrit a banesës në dorë se mos po ballafaqohen me një monstrum të tillë, e pastaj nëse ndonjë rast i tillë edhe ndodh pyetja më e shpeshtë do të t’ju bëhet atyre është ‘a e ka lyp’ , kjo nuk lypet dhe kjo mendësi është e poshtër dhe e pafalshme”, theksoi Kica-Xhelili.
Tutje, deputetja tha se LDK-ja ka vendosur që çdo element të “Rezolutës kundër sulmeve ndaj integritetit seksual” ta analizojnë.
“Jemi takuar me viktima e avokatë të tyre, prokurorë e gjykatës prandaj kërkojmë që institucionet të reagojnë më mënyrë proaktive lidhur me veprat që cenojnë integritetin seksual” tha deputetja.