Gjatë ditës së sotme u raportua se tre helikopter serbë sot rreth orës 16:00 kanë fluturuar afër kufirit me Kosovën në Jarinje, shkruan Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me zëdhënësin e KFOR-it, Antonio Minutella, i cili ka thënë se ata nuk posedojnë informacione se serbët kanë fluturuar mbi vijën kufitare administrative.
“Ne nuk kemi informacion se ka pasur fluturime serbe mbi vijën kufitare administrative”, tha ai për Gazetën Sinjali.
Tutje Minutella ka shtuar se misioni i NATO-s po e vazhdon aktivitetin e tij në përputhje me mandatin e tij nga OKB.
“KFOR -i mbetet i përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, shtoi ai.
Kujtojmë se shefi i Kabinetit të presidentes Osmani, Blerim Vela, ka reaguar pas këtyre raportimeve, ku ka thënë se Serbia po i rrit tensionet në kufi duke grumbulluar njësi policoro-ushtarake.
“Serbia vazhdon të rrisë tensionet rreth kufirit me Kosovën duke grumbulluar njësi policore-ushtarake. Regjimi hegjemonik i Vuçiqit po kthehet në politikën e Millosheviqit për të kërcënuar dhe punuar në mënyrë aktive për të destabilizuar fqinjët e saj. Përsëri, ata do të dështojnë”, ka shkruar ai në Twitter. /Gazeta Sinjali/