image EULEX-i zbarkon në Veri me 105 zyrtarë policor

Siguri

EULEX-i zbarkon në Veri me 105 zyrtarë policor

news image

Pas braktisjes së institucioneve të të gjitha niveleve nga serbët në katër komunat veriore të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicën e veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, njësitet e policisë së EULEX-it janë vendosur atje.

Nga Zyra për Media e EULEX, thonë për Gazetën Sinjali, se Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk ka marrë përsipër përgjegjësi policore në Kosovën veriore.

Sipas EULEX-it, këshilltarët policorë të lartë të EULEX-it për veriun janë të vendosur në kompleksin e Drejtorisë së Policisë së Kosovës Rajoni Veri dhe janë duke dhënë këshilla për drejtorinë e Policisë së Kosovës Rajoni Veri dhe katër stacionet policore nën komandën e saj në lidhje me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore. Përveç kësaj, këshilltarja e EULEX-it për Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe këshilltarja e EULEX-it për kryetarin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës janë duke e monitoruar nga afër situatën në këto dy institucione të drejtësisë.

“Gjithashtu, Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it (NjPS), e përbërë prej 105 zyrtarëve policorë polakë, ka shtuar më tej patrullimet mobile të vëzhgimit në Kosovën veriore për informim të shtuar të saj rreth situatës”, njofton EULEX-i për Sinjalin.

Nga Zyra për Media e EULEX, thonë se NjPS, e cila është e stacionuar në Mitrovicë, është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës, si pjesë e një mekanizmi treshtresor të reaguesve të sigurisë ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX është reaguesi i dytë i sigurisë dhe NATO/KFOR reaguesi i tretë i sigurisë.

“Si reagues i dytë i sigurisë i Kosovës, EULEX-i mbanë koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, përkatësisht reaguesit e parë dhe të tretë të sigurisë së Kosovës. Në rolin e saj si reagues i dytë i sigurisë, NjPS e EULEX-it do të angazhohet vetëm me kërkesë eksplicite të Policisë së Kosovës”, thonë EULEX-i për Sinjalin.

EULEX-i njofton se qëndron vigjilent dhe po monitoron nga afër të gjitha zhvillimet që mund të kenë ndikim mbi sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Sipas tyre siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe ne do të bëjmë atë që është e nevojshme dhe çdo gjë që duhet, për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në suaza të mandatit të tyre, si dhe për të kontribuar për sigurinë e popullatës së saj. Nëse paraqitet nevoja.

Misioni mund të zbarkojë po ashtu një Njësi Rezervë të Policisë së Specializuar për të shtuar forcat e tij në teren dhe kapacitetin operacional, thuhet në përgjigje për Sinjalin.

/GazetaSinjali/