KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka njoftuar se ditët në vijim do t’i nisë stërvitjet ushtarake pranë bazës në Novosellë.
Kështu, KFOR-i synon të përgatitet për të reaguar ndaj krizave. Sipas komunikatës së lëshuar, në këto stërvitje do të përdoren automjete të rënda ushtarake dhe helikopterë.
“Stërvitja synon t’i trajnojë njësitë e KFOR-it për të garantuar lirinë e lëvizjes në një situatë reagimi ndaj krizave dhe do të konsistojë në një seri simulimesh taktike dhe aktivitete logjistike duke përdorur kolona ushtarake me automjete të rënda inxhinierike dhe helikopterë”, thuhet në njoftim.
Përmes ushtrimeve të rregullta, KFOR-i thotë se “teston të gjitha aftësitë e tij dhe ruan nivelin e nevojshëm të gatishmërisë operacionale të nevojshme për ta vazhduar përmbushjen e detyrave”.
“KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, thuhet në fund të komunikatës.