image KFOR-i largon barrikadat e mbetura në veri

Siguri

KFOR-i largon barrikadat e mbetura në veri

news image

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe Policia e Kosovës i kanë larguar më 3 janar barrikadat e krijuara me kamionë, te vendi i njohur si Shkëmbi i Dudës, në Mitrovicën e Veriut.

Ura, e cila ishte e bllokuar atje prej ditësh nga serbët lokalë, tashmë është liruar për qarkullim, raporton reporterja e Radios Evropa e Lirë nga vendi i ngjarjes.

KFOR, i cili të martën njoftoi për zhvillimin e “operacioneve inxhinierike” në veri të Kosovës, për të hequr automjetet që ende po i bllokonin rrugët, ka kryer bartjen e kamionëve të larguar nga rruga.

Kamionët në këtë lokacion në Mitrovicë të Veriut ishin djegur më 29 dhjetor.

Në njoftimin e KFOR-it në Twitter u tha se operacioni për largimin e automjeteve të bllokuara në rrugë po bëhej për të rikthyer lirinë e lëvizjes në atë zonë.

Për 20 ditë me rradhë, në dhjetor të vitit 2022, në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, u vendosën barrikada në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi.

Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, i cili, sipas autoriteteve të Kosovës, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Por, serbët vendosën të heqin barrikadat pasi Dejan Pantiqit iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Po ashtu, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, gjatë një takimi në Rashkë të Serbisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 28 dhjetor deklaruan se kanë marrë garanci që kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.

/GazetaSinjali/