Ministri i Punës së Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka njoftuar se sonte ka biseduar përmes telefonit me komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneral-major Michel Risi, për gjendjen në Kosovë pas konfirmimit të rasteve të para të prekura me koronavirus.
Sipas këtij njoftimi, Risi ka bërë të ditur se KFOR-i i ka ndërmarrë të gjitha masat preventive tek ushtarët dhe personeli dhe se janë duke e përcjellur situatën me kujdes.
Tutje, në njoftim thuhet se ministri e ka falenderuar gjeneralin Risi për respektimin e vendimeve të institucioneve të Kosovës për masat parandaluese të koronavirusit.
Gjatë këtij bisede njoftohet se ministri Veliu dhe komandanti i KFOR-it janë dakorduar për të vazhduar bashkëpunimin për menaxhimin e gjendjes së krijuar.
“Komandanti i KFOR-it, gjithashtu shprehu gatishmërinë që trupat e KFOR-it janë në dispozicion dhe gjendje gatishmërie për t’u dalë në ndihmë popullit të Kosovës”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/