Lidhur me situatën e fundit të krijuar në veri të Kosovës, KFOR-i ka dalë me thirrje të përbashkët për Prishtinën dhe Beogradin zyrtar, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, KFOR ka njoftuar se po monitorojnë situatën dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me liderët kosovarë dhe serbë.
E për të ndaluar eskalimin e situatës, ata thonë se po bashkëpunojnë ngushtë edhe me partnerët ndërkombëtarë.
Ata kanë bërë thirrje që mospajtimet të diskutohen përmes dialogut.
Njëherit, KFOR ka apeluar për shprehje të mendimeve në mënyrë paqësore si dhe që të dy palët të kërkojnë kompromis.
“Ne po monitorojmë situatën dhe po bashkëpunojmë ngushtë me liderët në Beograd dhe Prishtinë si dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë. Ne iu bëjmë apel të gjithëve që të adresojnë dhe diskutojnë mospajtimet përmes dialogut konstruktiv. Sillni përparim në shoqëri! Shprehni mendimet tuaja në mënyrë paqësore dhe kërkoni kompromise”, thuhet në thirrjen e KFOR-it.
Lidhur me zhvillimet në veri, më herët është deklaruar edhe zëvendësekretari i NATO-s, Mircea Geoana. Geoana njoftoi se në lidhje me këto zhvillime, ka biseduar me ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai ka bërë thirrje për mospërshkallëzim të situatës derisa tha se KFOR-i është i gatshëm të intervenojë nëse rrezikohet stabiliteti në rajon.