Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 100 vende të botës, ku janë të detyruar të marrin masa parandaluese për përhapjen e virusit.
Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.
Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe së paku 118 vende të tjera të botës.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në gjithë botën, në total janë: 156,400 njerëz të infektuar, 5,833 të vdekur dhe 73,968 të shëruar, thotë REL.
Kina ka 80,995 raste me koronavirus, pas saj vjen Italia me 21,157 raste dhe Irani me 12,729.
Numri më i madh i njerëzve të vdekur është në Kinë: 3,193.
Kosova ka konfirmuar pesë rastet e para me koronavirusin e ri.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, aktualisht vetëm Mali i Zi nuk ka raste të regjistruara me koronavirus.
Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS – viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person në shumë pjesë të botës.
Në Shkup nxitojnë për rezerva ushqimore
Në Maqedoni të Veriut, deri më 14 mars, janë konfirmuar 18 raste me koronavirusin e ri.
Qeveria ka urdhëruar mbylljen e të gjitha lokaleve dhe qendrave tregtare si dhe ka mbyllur shkollat.
Të vetmet dyqane që janë të hapura, janë ato ushqimore dhe farmacitë.
Gjermania do të mbyllë disa kufij
Gjermania do të mbyllë pjesën më të madhe të kufijve me Francën, Zvicrën dhe Austrinë nga e hëna, për të penguar përhapjen e koronavirusit, raporton BBC, duke u thirrur në burimet qeveritare.
Gjermania ka regjistruar së paku nëntë vdekje nga koronavirusi dhe 4,585 raste të infeksionit.
Vendet e tjera të Bashkimit Evropian janë duke ndërmarrë po ashtu masa radikale.
Austria, nga e hëna, do të ndalojë çdo tubim të më shumë se pesë vetëve.
Rumania pritet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.
Çekia, e cila tashmë i ka mbyllur kufijtë, pritet të futet në karantinë të përgjithshme.
Këto masa i pasojnë hapat e ngjashëm që kanë ndërmarrë Franca dhe Spanja të shtunën.
Spanja ka raportuar edhe për 97 viktima dhe 2,000 raste të reja në 24 orët e fundit.
Në total, ajo ka 288 njerëz të vdekur dhe 7,753 të infektuar nga koronavirusi.
Hungaria regjistron viktimën e parë nga koronavirusi
Një burrë 75 vjeç është personi i parë që ka vdekur nga koronavirusi në Hungari.
Autoritetet thanë se ai ka vdekur pasi është dërguar në spital me koronavirus dhe pneumoni.
Hungaria ka aktualisht 32 raste të raportuara me koronavirus, ndërsa 159 njerëz janë në karantinë.
Në përgjigje të shpërthimit të sëmundjes, qeveria ka mbyllur kufijtë tokësorë me Austrinë dhe Slloveninë, i ka mbyllur të gjitha shkollat dhe ka vendosur kufizime në tubimet publike.
Nike mbyll përkohësisht qindra dyqane
Nike do t’i mbyllë përkohësisht qindra dyqane në botë, nisur nga e hëna, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Të gjitha degët e saj në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Evropën Perëndimore dhe Zelandë të Re do të jenë të mbyllura deri më 27 mars, tha kompania e veshjeve sportive.
Nike ka gati 400 dyqane vetëm në Shtetet e Bashkuara.
Kompania u tha mediave amerikane se punonjësit e saj do të paguhen plotësisht gjatë kësaj periudhe.
Ajo tha se dyqanet e saj në Korenë e Jugut, Japoni, pjesën më të madhe të Kinës dhe “shumë vende të tjera” do të mbeten hapur.