Ka përfunduar bastisja nga pjesëtarët e EULEX-it në shtëpinë e ish-zëdhënësit të UÇK-së.
Shtëpia në vendlindje, e ish-kryetarit të Kuvendit ka nisur të bastiset në orën 17:00 dhe ka përfunduar në 19:00 kurse Halim Krasniqi, vëllau i Jakup Krasniqit ka qenë i autorizuar të hap shtëpinë në fshat dhe të qëndrojë me pjesëtarët e EULEX-it gjatë kryerjes së operacionit.
Ai ka thënë se hetuesit pasi kanë kontrolluar, kanë marrë me vete 6 dokumente të Krasniqit.
“Bastisja ka përfundua në orën 19:00, ka zgjatur 2 orë. Kam qenë aty gjatë gjithë kohës, ata kanë kontrollua gjërat e Jakupit dhe kanë marrë me vete 6 dokumente, letër, video e edhe nga kompjuteri. Një dokument vetëm e kanë fotografuar, nuk e kanë marrë”, ka thënë Halim Krasniqi për KP.
Bastisja e shtëpisë së Krasniqit në fshat është bërë pasi ka përfunduar edhe arrestimi i tij në Prishtinë.
Hetuesit e Speciales kanë nisur sot operacionin në pronat e Krasniqit ndërsa arrestimi i tij është bërë në mesditë.
Krasniqi del të jetë personi i katërt që dërgohet për gjykim në Dhomat e Specializuara, pas Salih Mustafës, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt. Këta të fundit aktualisht janë në paraburgim në Hagë.
Ndërsa sonte edhe Rexhep Selimi ka bërë të ditur se i është konfirmuar aktakuza dhe i njëjti nesër udhëton për në Hagë. /Gazeta Sinjali/