Jacques Chirac, ish-presidenti i Francës që ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme kishte qenë i angazhuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe Serbisë në vitin 1999.
Në momentet më të rëndësishme të Kosovës, Chirac ishte rreshtuar krahas shteteve të perëndimit dhe përkrahu vendimin e NATO-s për ta bombarduar Serbinë.
Chirac ishte takuar në vitin 1998 me presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me të cilin kishte diskutuar për situatën në Kosovë dhe për represionin e pushtetit të Sllobodan Millosheviqit ndaj popullatës shqiptare të Kosovës.
Në konferencë për media, pas takimit me Rugovën, ai kishte thënë se Serbia është përgjegjëse për politikën e pastrimit etnik të Kosovës.
“Një gjë e tillë është totalisht e papranueshme dhe perëndimi nuk duhet të lejojë që një gjë e tillë të vazhdojë”, kishte deklaruar Chirac.
Më tutje ai thoshte që një konflikt i tillë mund të eskalonte në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe kishte shprehur mbështetjen e tij të plotë për NATO-n.
Ndërkohë, Ibrahim Rugova i kishte kërkuar Chirac-ut që të ndalet represioni serb për shkak të ikjeve masive të popullatës shqiptare nga Kosova.
“Represioni serb duhet të ndalet përpara se të fillojnë negociatat nga dy palët”, kishte deklaruar Rugova.