Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nesër prej orës 08:00, do të ndërpresë qarkullimin dhe do të ndalojë parkimin e të gjitha automjeteve në rrugët: Enver Zymberi dhe Rinia.
Kjo për shkak se do të zhvillohet ndeshja mes Kosovës dhe Çekisë, e cila është e vlefshme për kualifikimet “Euro 2020”.
Ndeshja do të zhvillohet me fillim nga ora 15:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ja njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
“Policia e Kosovës për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, për të mundësuar një qarkullim në suaza të normales, do të veproj në të gjitha rrugët të cilat lidhen me stadiumin “Fadil Vokrri”, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve. Në këtë kontekst, policia nesër prej orës 08:00 deri në përfundim të planit operativ për ndeshjen, do të ndërpres qarkullimin dhe ndaloj parkimin e të gjitha automjeteve në rrugët Enver Zymberi dhe Rinia. Andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre drejt stadiumit të qytetit me vetura.”./Sinjali/