Tre ditë më parë ka përfunduar konkursi për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, ku kanë aplikuar mbi 12 persona.
Zyrtarët e BQK-së nuk janë deklaruar zyrtarisht për Gazetën Sinjali lidhur me numrin dhe identitetin e pretendentëve të postit të guvernatorit të BQK-së.
Sipas burimeve jo zyrtare këta janë disa kandidatët që po synojnë postin e të parit të BQK-së: Emanuel Bajra, i cili jeton në Londër dhe aktiviteti i tij mbi 10 vite bankier në Londër, Fehmi Mehmeti, guvernantori aktual, Nexhat Kryeziu anëtar i Bordit aktualisht në BQK, Shkendije Himaj, ish-punonjëse në BQK, Mentor Nimani, Bezad Halilaj, Artan Ajazaj, Valdrin Krasniqi, Mentor Geci, Genc Rraci, Ardian Uka dhe Arta Hoxha e të tjerë që kanë mundur të dorëzohen me postë.
Pak kohë para përfundimit të mandatit pesë vjeçar të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës kjo e fundit ka shpallur konkursin për Guvernator i cili është mbyllur më 16 dhjetor.
Guvernatori aktual i zgjedhur më 15 mars të vitit 2018 i mbaron mandati me 15 mars të vitit 2023, raporton Gazeta Sinjali.
Emërimi i guvernatorit të ri do të jetë për një mandat pesëvjeçar duke filluar më 29 mars 2023 ose në datën e emërimit.
Lista e kandidatëve që kualifikohen nga ana e Panelit do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës i cili do të përzgjedhë një kandidat.
Miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidenta e Republikës së Kosovës në pajtim me nenin 84.27 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38.2 të Ligjit të BQK-së.