Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka publikuar listën e 49 kandidatëve që e kanë kaluar provimin për gjyqtarë, prej të cilëve janë tre kandidatë serbë, mirëpo këtij komuniteti i kanë mbetur edhe pesë vende të tjera që s’janë plotësuar.
Këtë e ka bërë të ditur KGjK përmes një njoftimi, ku thuhet se konkursi ka qenë i shpallur për 54 pozita.
“Konkursi për gjyqtar ka qene i shpallur për pesëdhjetekatër (54) pozita për gjyqtar prej te cilëve tetë (8) pozita kanë qenë të rezervuara për komunitetin serb, nga te cilat janë plotësuar tri (3) ndërsa pesë (5) pozita për komunitetin serb mbesin te rezervuara. Komisioni ka përmbyllë listën me kandidatë të suksesshëm me numër rendor dyzetenëntë (49)”, thuhet në njoftim e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës sot ka përfunduar fazën e tretë dhe të fundit të vlerësimit të 80 kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatat e Republikës së Kosovës.