image Këshilltari i Thaçit tallet me ministrin Bislimi: Këshilltarja jote e rriti numrin e të punësuarve në 800%

Kosovë

Politikë/ Këshilltari i Thaçit tallet me ministrin Bislimi: Këshilltarja jote e rriti numrin e të punësuarve në 800%

news image

Këshilltari i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, është tallur me ministrin e Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimin, i cili para disa ditëve kishte deklaruar se e ka ulur nivelin e papunësisë për 6.6 për qind.

Behramaj ka thënë se këshilltarja e ministrit Bislimi, me vetëm 1 punëtor zyrtarisht të regjistruar, pas ardhjes në pushtet e ka rritur numrin e të punësuarve për 800 për qind.

 “Me Besnik Bislimin u tallëm shumë kur deklaroi se e ka ulur nivelin e papunësisë për 6.6 për qind. Por, veçanërisht për stafin e tij, kjo po rezulton shumë e vërtetë!
Ajo këshilltarja e ministrit Bislimi, që njëherësh ishte drejtoreshë e hotelit “Best Ëestern Hotel Galla”, me vetëm 1 punëtor zyrtarisht të regjistruar, pas ardhjes në pushtet e kishte rritur numrin e të punësuarve për 800 për qind”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Tutje, Behramaj ka shtuar se është shumë mirë që njerëzit e Vetëvendosjes po i formalizojnë bizneset dhe po i deklarojnë punëtorët e tyre. Por, sipas tij, është shumë keq nëse këtë rritje të numrit të të punësuarve po e bëjnë për të përfituar vetë nga Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike.

“Është shumë mirë që njerëzit e tyre po i formalizojnë bizneset dhe po i deklarojnë punëtorët e tyre. Por, është shumë keq nëse këtë rritje të numrit të të punësuarve po e bëjnë për të përfituar vetë nga Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike. Ato pak mjete që i dedikohen rasteve sociale dhe njerëzve në nevojë si mbështetje në këtë kohë pandemie, nuk do të duhej të shkonin në llogaritë e bizneseve të njerëzve të Vetëvendosjes, sepse ky trend i rritjes për të përfituar nga pakoja është te shumica e tyre”, ka shkruar ndër të tjera këshilltari Behramaj.

Sipas tij, Ministria e Financave dhe Transfereve duhet ta bëjë publike listën e përfituesve dhe të jetë transparente në ndarjen e mjeteve financiare të parapara me Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike. /Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/adil.behramaj/posts/10158293229571670