image Këshilltari i kryeministrit Hoti: Pas liberalizimit të vizave nuk do të ketë largim masiv të qytetarëve

Politikë

Këshilltari i kryeministrit Hoti: Pas liberalizimit të vizave nuk do të ketë largim masiv të qytetarëve

news image

Këshilltari për Politikë të Jashtme i kryeministrit, Avdullah Hoti, Valon Murtezaj tha se në takimin e sotëm që Hoti pati me presidentin e Francës, Emmanuel Macron është diskutuar edhe për liberalizimin e vizave.

Murtezaj tha se Franca dëshiron të sigurohet që në Kosovë pas liberalizimit të vizave nuk do të ndodhë skenari i njëjtë që ka ndodhur në shumë vende – largim masiv i qytetarëve drejt vendeve të Europës.

“Është diskutuar për çështjen e vizave pa dyshim, sepse është ai insistimi i vazhdueshëm i të gjithëve, i kryeministrit aktual, por edhe më herët. Presidenti, Emmanuel Macron ka qenë shumë i hapur lidhur me këtë. E gjithë çështja është që për shkak të të kaluarave të ndryshme të vendeve dhe telasheve që i kanë sjellë pastaj, thjesht dëshirojnë që të jenë vigjilentë në mënyrë që të mos përsëriten situatat e tilla ku njerëzit marrin vizat dhe pastaj kërkon azil. Kjo është çështja”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket dialogut Murtezaj tha se përfundimi duhet të jetë me njohje reciproke.

“Sa i përket dialogut si temë e vështirë, kryeministri Avdullah Hoti ka qenë shumë i qartë që ne jemi për proces. Nuk është proces i ri – mirë që rifillon, por përfundimi duhet të jetë njohja. Nuk ka kuptim që një dekadë të diskutohet për tabelat e makinave. Nuk duhet të jetë kjo fazë e dialogut që do të merret me gjëra të tilla”, tha Murtezaj në InfoMagazine.

Murtezaj ka thënë se nuk ka pasë asnjë kushtëzim karshi Kosovës për të marrë liberalizimin e vizave.

“Nuk ka pasë diskutime të tilla, as parakushtëzime dhe as kushtëzime. E di që është diskutuar momenti kur për heqjen e tarifës do të ishte një kundërshpërblim. Nuk kishte kushtëzime të tilla”, ka thënë ai. /Gazeta Sinjali/