image Këshilltari i Kadri Veselit rrëfen “skenarin” e dytë të blerjes së votave

Politikë

6 tetori/ Këshilltari i Kadri Veselit rrëfen “skenarin” e dytë të blerjes së votave

news image

Kandidati i PDK-së për deputet nga Partia Demokratike të Kosovës, i cili është edhe këshilltar i Kadri Veselit, Blerim Latifi, para dy ditësh ka akuzuar bashkëpartiakët e tij për vjedhje të votave në zgjedhjet e 6 tetorit. Sipas tij votat janë blerë me 5 apo 10 euro. Latifi nuk është ndalur me kaq, sot ka publikuar një status tjetër në Facebook, ku flet për vëzhguesit dhe komisionerët e zgjedhjeve.

Blerim Latifi që raportohet se nuk ka arritur t’i sigurojë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet, ka publikuar ‘skenarin’ e dytë të blerjes së votave.

“Gjatë fushatës më pyesnin njerëzit: Si i ke punët me komisionerët në vendvotime? Po me vëzhguesit? E si duhet t’i kem?, i pyesja. Për t’i ruajtur votat tua, më përgjigjeshin. Dhe vazhdonin : Nëse komisionerët nuk janë me ty, votat t’i marrin dhe ua hedhin të tjerëve, gjatë përpilimit të tabelave përfundimtare. Por, e keqja nuk sosë këtu, sepse edhe në rastin kur komisionerët janë me ty, duhet t’i ruash ata, për arsye se vjen tjetri dhe t’i blenë me para”, shkruan Latifi, transmeton Gazeta Sinjali.

Ai thotë se demokracia kosovare është mashtrim i madh.

“Pra, thënë shkurt e shqip: demokracia kosovare, që në aktin e saj themelor, është një mashtrim i madh, një pazar i ndytë komisionerësh e vëzhguesish. Vullneti i qytetarëve fillon e falsifikohet me t’u mbyllur qendrat e votimit. E pastaj ankohemi se Europa nuk po na i hapë dyert! Natyrisht që nuk na i hapë. Me horra nuk shkohet në Europë. Me horra veç një rrugë është e hapur: rruga e shtetit të dështuar”, ka shkruar Latifi në Facebook.

Pas publikimit të këtyre deklaratave, nuk dihet nëse Blerim Latifi, është ftuar për intervistim nga Prokuroria.

/Gazeta Sinjali/