image Ish-këshilltari i Kadri Veselit akuzon kolegët në PDK se ia vodhën votat me 5 euro

Kosovë

Akuza/ Ish-këshilltari i Kadri Veselit akuzon kolegët në PDK se ia vodhën votat me 5 euro

news image

Kandidati i PDK-së për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerim Latifi, i cili kishe qenë këshilltar i Kadri Veselit, ka akuzuar bashkëpartiakët e tij për vjedhje të votave në zgjedhjet e 6 tetorit.

Akuzat i ka bërë në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, duke thënë fillimisht se PDK nuk u mund nga VV e as nga LDK, por se PDK u mund nga vetja e saj.

“PDK- në nuk e ka mundur VETËVENDOSJA, e as LDK-ja! PDK- në e ka mundur PDK-ja: lufta e paskrupullt e kandidatëve të saj për t’ia grabitur votat njëri tjetrit! Natyrisht, këtë luftë e kanë fituar ata që kanë pasur pare dhe kanë kontrolluar infrastrukturën dhe logjistikën e partisë, për qëllime të veta. I vetmi njeri aty që ka menduar për fatin e partisë ka qenë kryetari i saj. Ai ka qenë i vetmuar në luftën e tij për ta shpëtuar PDK-në. Përpjekjen e tij, Kadare do ta quante ‘Fushata e vetmisë së madhe’”, ka shkruar ai.

Më tutje Latifi po pretendon se bashkëpartiakët e tij që kandidonin për deputetë kishin luftuar atë në mënyrë primitive, sipas Latifit ishte shfrytëzuar mjerimi në Drenicë që me 5 apo 10 euro të blihet vota e tyre.

“Kam hyrë në garë, sepse i kam besuar platformës së tij për vendin dhe partinë, platformë në të cilën kam punuar edhe vetë dhe e kam mbrojtur publikisht në debatet e fundit; dhe gjatë kohës kur unë e mbroja PDK-në në studiot televizive, njerëz të saj, në terren, bënin fushatë kundër meje. Ky është një shëmbull tipik që tregon se në PDK interesat klanore janë mbi ato të partisë. Kështu unë e mësova praktikisht se kundështarët më primitivë nuk i kam në partitë tjera, por brenda PDK-së. Dhe, më e dhimbshmja ka qenë kur kam parë mjerimin politik në të cilin e kanë zhytur Drenicën, ku votat janë blerë me nga 5 deri në 10 euro, ose me metra drush për dimër, ose me lëmosha të tjera. Aty ku njerëzit shesin të drejtat e tyre politike, aty është i pakuptimtë çdo debat dhe çdo ide politike”.

“Aty është qesharake të mendosh dhe të sillesh sipas termave të politikës normale demokratike. Në ambiente të tilla politike, idetë e mira janë të destinuara ta humbin betejën me paratë e pista, të marra nga korrupsioni e zhvatja e shtetit dhe me premtimet e rreme për t’i punësuar njerëzit në institucionet publike, në mënyrë të paligjshme. Kjo është një betejë e humbur, por Kosova ka me fitu luftën kundër bijve të saj të ligj, të cilët për pushtet janë në gjëndje të shkelin mbi çdo normë, mbi çdo vlerë, e madje edhe të shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi”, ka shkruar Latifi në Facebook.

Kujtojmë se PDK në zgjedhjet 6 tetorit mbeti partia e tretë prapa VV-së dhe LDK-së/Gazeta Sinjali/