image Këshilltari i Hotit për idenë e Hazirit për kufijtë: Po bën thirrje për përmbysje të Kushtetutës

Politikë

Këshilltari i Hotit për idenë e Hazirit për kufijtë: Po bën thirrje për përmbysje të Kushtetutës

news image

Visar Berisha, këshilltar i kryeministrit të vendit, Avdullah Hoti, ka kundërshtuar idenë e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, lidhur me idenë për ndryshimin e kufijve të vendit, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas Berishës, kërkesa për ta prekur integritetin territorial të Republikës së Kosovës është thirrje për ta përmbysur Kushtetutën.

Përmes një postimi në Facebook, ai është shprehur se kjo ide është goditje ndaj pozicionit dialogues të Kosovës.

“Qëndrimi dhe kërkesa për ta prekur integritetin teritorial të Kosovës është thirrje për ta përmbysur Kushtetutën. Është inzult ndaj subjektivitetit. Është goditje ndaj pozicionit dialogues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Berisha në llogarinë e tij.

Haziri të martën për RTK deklaroi se me shkëmbim të territoreve, Kosova s’do të humbte asgjë, por kjo do të ndihmonte në pajtimin me Serbinë. Sipas tij, tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi janë peng i politikës. Ai ka thënë se shqiptarët si shumicë në tri komuna në Luginën e Preshevës duhet t’i bashkohen Kosovës, ndërsa Leposaviqi dhe 17 fshatra tjerë me shumicë serbe t’i bashkohen Serbisë.

Kjo ide e Hazirit nuk ka gjetur përkrahje nga partia e tij, ndërsa e ka kundërshtuar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. /Gazeta Sinjali/