image Këshilli i BE-së diskuton të martën për reformën e zgjerimit

Botë

Ministrat/ Këshilli i BE-së diskuton të martën për reformën e zgjerimit

news image

Ministrat e BE-së do të diskutojnë situatën në fushën e zgjerimit dhe politikës së pranimit në një takim të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Bruksel të martën, më 19 nëntor.

Ministrat do të shqyrtojnë për herë të parë propozimin francez për reformimin e politikës së zgjerimit, por nuk priten përfundime konkrete, njoftoi Këshilli i BE-së.

“Ne nuk e dimë se sa konkretë mund të jemi, por sigurisht që duam t’i dërgojmë një mesazh pozitiv rajonit,” tha Këshilli i BE-së.

Këshilli i BE-së njoftoi se ministrat e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së dhe atyre evropiane (GAC) do të diskutojnë situatën në fushën e politikës së zgjerimit dhe procesin e pranimit, si pika e fundit në rendin e ditës.

“Ky duhet të jetë vetëm ‘hapi i parë’ për rinovimin e politikës së zgjerimit, si dhe besimin midis shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor,” thanë burimet e Këshillit të BE-së.

Pritet gjithashtu që sekretarja e  Shtetit të Francës për Çështje Evropiane Amelie de Montchalin do të paraqesë propozime nga Parisi për ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit.

Javën e kaluar, Franca ua paraqiti të ashtuquajturin “propozim diskutimi” vendeve anëtare, duke përshkruar katër parime që Parisi i sheh si bazë për një metodologji të re të zgjerimit të BE-së.

Që nga bllokimi i hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore në tetor, Franca është përpjekur për një pranim më gradual në BE, hapjen e fondeve strukturore të BE-së për vendet kandidate, por edhe për një politikë më të rreptë të kushtëzimit dhe kthimin e procesit të zgjerimit.

Në Bruksel thonë se propozimi francez është një “subjekt për diskutim” dhe se forma përfundimtare e një reforme të mundshme të metodologjisë së zgjerimit duhet të varet nga konsensusi i të gjitha shteteve anëtare.

Kujtohet gjithashtu se shumica e shteteve anëtare, me përjashtim të Holandës dhe Danimarkës, kundërshtuan Parisin në vendimin e tij për të bllokuar hapjen e negociatave të pranimit me Tiranën dhe Shkupin.

Ishin pikërisht vendet anëtare të Grupit të Vishegradit, si dhe Austri dhe Italia, të cilët kërkuan që çështja e zgjerimit të vihet në agjendën e BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të përcaktohen “kornizat e punës dhe të kohës”, pra të “zhbllokojnë” dhe të përcaktojnë sa më shpejt rrugën e Ballkanit Perëndimor për në BE.    

Tani për tani, qëllimi është që gjithçka të bie dakord dhe të precizohet deri në pranverën e vitit 2020 për të filluar negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, përkatësisht për të rivendosur besimin dhe partneritetin e ndërsjellë në samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor të planifikuar për maj 2020 në Zagreb. /Gazeta Sinjali/