image Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial s’i dërgojnë anëtarët në komisionin e vettingut, Haxhiu thotë se po frikësohen

Kosovë

Politikë/ Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial s’i dërgojnë anëtarët në komisionin e vettingut, Haxhiu thotë se po frikësohen

news image

Një varg akuzash ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial ka bërë ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Të dyja këto organe të drejtësisë nuk i kanë dërguar ende emrat e përfaqësuesve të tyre në grupin e ekspertëve për reformën e vettingut në drejtësi të krijuar nga Qeveria.

Sipas Haxhiut, Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial po kundërshtojnë që të ketë vetting, ngase ndihen të frikësuar nga ky proces, raporton Koha.

Por kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, thotë se kanë pranuar ftesë nga Ministria e Drejtësisë, por situata me pandeminë ka ndikuar që të mos ketë vendim. Megjithatë, Hyseni nuk e sheh të nevojshëm vettingun në drejtësi pasi thotë se një proces i tillë ka ndodhur vite më parë.

Arsyetim të njëjtë se pandemia pamundësoi vendimmarrjen ka dhënë edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj.

Në vendimin e Qeverisë në detyrë, në fund të shkurtit, për krijimin e grupit të ekspertëve për vettingun, thuhet se obligohet Ministria e Drejtësisë që të kërkojë nga KGJK-ja dhe KPK-ja të propozojnë përfaqësuesit e tyre. Deri më 30 maj grupi i ekspertëve prej 10 anëtarëve pritet t’ia paraqes raportin Qeverisë për skenarët dhe elementet e vettingut në sistemin e drejtësisë. /Gazeta Sinjali/