Këshilli Evropian do të mblidhet sot në Bruksel, ku pritet të vendoset data për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, transmeton Sinjali.
Bullgaria vijon të këmbëngulë në veton ndaj Shkupit, gjë që mban peng Maqedoninë e Veriut dhe nuk i jep dritën jeshile për integrimin evropian. Ky vendim i Bullgarisë pengon edhe Shqipërinë, sepse thuhet se vendimi do të jepet për të dyja shtetet.
Ndërkohë, para disa javësh, Holanda i dha dritën jeshile Shqipërisë që të nisë bisedimet për anëtarësim. Pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme të marsit, ku partia e kryeministrit, Mark Rutte fitoi mandatin e katërt për të udhëhequr vendin, Hollanda ka vendosur t’i japë vëmendjen e saj maksimale proceseve integruese.
Vendi më skeptik i BE-së duket se është bindur tashmë që Shqipëria ka bërë progresin e mjaftueshëm për t’u ulur me zyrtarët e Brukselit e për të nisur zyrtarisht bisedimet për anëtarësim.
Në mbledhjen e Parlamentit Holandez u diskutua gjerësisht çështja e Shqipërisë dhe fati i saj për vijimin e rrugëtimit integrues ku u vendos të hiqet trau bllokues për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë pas miratimit të kuadrit negociator. Ambasada Hollandeze menjëherë pas vendimit shpërndau qëndrimin e Qeverisë së saj.
Pas këtij qëndrimit pozitiv të Holandës dhe deklaratave të kryediplomatëve të vendeve si Gjermania, Austria apo Italia ka shpresa që Shqipërisë do t’i hapet rruga në mbledhjen e 22 qershorit të Këshillit Evropian që do të pasojë Konferencën Ndërqeveritare./Gazeta Sinjali/