Zëdhënësi i ZRrE-së, Petrit Pepaj, ka konfirmuar se tarifat e reja të rrymës do të llogariten nga data 9 shkurt 2022 kur edhe vendimi ka hyrë në fuqi nga bordi i ZRrE-së dhe jo nga 1 marsi 2022 ashtu siç u ka propozuar kompania për furnizim KESCO.
“Vendimi per tarifa ka hyrë në fuqi me datë 9 shkurt 2022, dhe nga kjo datë ky vendim është i zbatueshëm”, tha Pepaj në një përgjigje për Express.
Të shtunën, KESCO i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit për Energji që aplikimi i tarifave të reja të fillojë nga muaji mars.
Por ZRrE-ja s’e ka marrë parasysh propozimin e KEDS-it dhe tarifat e reja me rritje të çmimit të rrymës për qytetarët do të aplikohen nga data 9 shkurt 2022 kur edhe ka hyrë në fuqi vendimi nga ana e ZRrE-së.
Ndryshe, tarifat e reja kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt dhe do të apikohen deri më 31 mars 2023. Me miratimin e këtyre tarifave, shtrenjtim të energjisë do të kenë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kWh energji elektrike.
Shqyrtim të tarifave do të ketë edhe në fund të këtij viti. Nga ZRRE e kanë konfirmuar se nga mesi i dhjetorit do të bëhet shqyrtimi i rregullt i tarifave.
ZRrE-ja nuk e ka publikuar ende vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.